1. Eficienca e Energjisë: Të përdorësh më pak energji për të siguruar të njëjtin shërbim/produkt pa ndikuar në cilësinë e këtij të fundit.

  2. Termoizolimi në objektet e banimit apo dhe ato industriale është faktor shumë i rëndësishëm për arritjen e komfortit të jetesës të banorëve. Termoizolimi zvogëlon humbjet e energjisë duke shmangur kështu shpenzimet e tepërta të energjisë dhe zvogëlon nevojën për energji duke mundësuar që temperaturat e brendshme të arritura në shtëpi/ ambiente biznesi të zgjasin dhe mbesin sa më gjatë brenda këtij ambienti.

    -Termoizolim i brendshëm

    Trashësia dhe lloji i materialit termoizolues varet nga kërkesat e temperaturave të brendshme në raport me klimën e vendit ku ndërtohet objekti. Shtresat termoizoluese duhen projektuar me kujdes, duke zgjedhur materialet dhe kombinimet e duhura në varësi të objektit që do investohet. Materialet termoizoluese më të shpeshta, janë lesh guri, lesh xhami etj.

    -Termoizolimi i jashtëm.

    Veshja e fasadave me material izolues polisterol: EPS F 80, EPS F 100, EPS F 120, IZOPOR GRAFIT®, me trashësi 8 cm për zonën e ftohtë dhe 5 cm për zonën me klimë mesatare. Koefiçienti i përcjellshmërisë për këtë material duhet të jetë më i vogël se λ = 0.040 Watt/m²Kelvin. Pas kësaj shtrese fasada duhet të plotësohet me ngjitës rrjetë dhe suva plastike si shtresë rifiniture. Një faktor tjetër pozitiv i termoizolimit të jashtëm (sistem kapot) është se e mbron ndërtesën nga agjentet atmosferikë duke i rritur kështu jetëgjatësinë asaj.

  3. Dhomat frigoriferike Modernizimi i infrastrukturave të ndryshme për ruajtjen dhe shpërndarjen e mallrave ka sjelle në ditët e sotme nevojën për hapësira të mëdha. Si rrjedhojë e kësaj, lind nevoja edhe për ambjente me temperaturë dhe lagështirë të kontrolluar. Për të përmbushur këto nevoja shërbejnë dhomat dhe magazinat frigoriferike të cilat nëse ndërtohen me materiale specifike për izolim termik( panelet me mbushje poliuretani) të cilat sipas trashësisë garantojnë mbrojtje termike të ndryshme dhe me kosto operimi më të ulët.

  4. COP është koeficenti i performancës së pajisjes, e cila shprehet si raport i nxehtësisë së prodhuar (BTU/h) me ekuivalenten e energjisë elektrike në hyrje. Pra nëse një pompë nxehtësie do të prodhojë 60.000 Btu/h dhe energjia elektrike që ajo kërkon për të prodhuar këtë nxehtesi është 8 kW atëherë COP do të jetë: Cop = (60000 BTU/h) / 8kW * 3413 = 2.2 Ku: 1000W = 3413 BTU/h Sa më e lartë të jetë vlera e COP aq më eficente është pajisja që përdoret.

  5. Dritare eficiente. Dritaret mund të sjellin një humbje termike deri në 20% brenda një ndërtese. Për më tepër, ato nuk janë plotësisht të padepërtueshme ndaj ajrit dhe në këtë mënyrë kontribuojnë në një ventilim të padëshiruar. Dritaret dhe dyert eficiente ndaj energjisë parandalojnë depërtimin e ajrit dhe reduktojnë humbjen e nxehtësisë diellore. E ashtuquajtura Vlera-U mat nivelin e izolimit të një dritareje. Vlera -U është një matje e rrjedhjes së nxehtësisë. Sa më e ulët të jetë vlera U aq më ngadalë e transferon një material nxehtësinë brenda dhe jashtë një ndërtese. Dritaret eficiente ndaj energjisë kanë karakteristikat e mëposhtme:

    • Panel xhami të dyfishtë ose të trefishtë
    • Hapësira midis dy fletëve të xhamit është e mbushur me gaz argon
    • Kornizë e izoluar në mënyrë termike
    • Shtresë mbrojtëse e dritareve, etj.

  6. Kondicionerë inverter.

    Pajisjet inverter rregullojnë energjinë,e përdorur duke ju përshtatur kështu kërkesës aktuale që ambjentit i duhet për ngrohje ose ftohje. Paisjet inverter nëpërmjet rregullimit të shpejtësisë rregullojnë temperaturën e dëshiruar të ambjentit dhe e mbajnë konstante atë, duke krijuar kështu komoditet dhe efikasitet në konsumin e energjisë elektrike. Më poshtë paraqitja grafike( temperaturë – kohë) midis një kondicioneri inverter dhe një kondicioneri on- off.

  7. Gaz ekologjik

    Një faktor tjetër i rëndësishëm që duhet përmendur është gazi frigoriferik që përdoret në pajisjet e ajrit të kondicionuar. Pjesa dërrmuese e gjeneratës së re të kondicionerëve që prodhohen në ditët e sotme, prodhohen për të punuar me gaz ekologjik R-410 A pasi nuk përmban substanca të dëmshme për shëndetin e njeriut si dhe është më miqësor me mjedisin.

  8. Etiketat e energjisë. BE ka vendosur përdorimin e detyruar të etiketave për pajisjet elektroshtëpiake dhe për llampat e ndriçimit. Etiketa e energjisë tregon sa efikase është pajisja në përdorimin e energjisë elektrike, në një shkallë nga A në G. Për cdo pajisje të re që bleni tregoni kujdes ndaj etiketës energjetike të pajisjes (që janë në formën e shigjetave të ngjyrosura A, B, C etj). Me një pajisje të klasës A harxhohet energji elektrike më pak se gjysma e krahasuar me pajisjen e klasës G. Ka dhe një lloj tjetër etiketimi që është Energy Star, një standard ndërkombëtar për produktet e konsumit të energjisë efikase me origjinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Produktet që kanë këtë etiketë përdorin 20-30% më pak energji sesa produktet e tjera.

  9. Biomasa. Përbërje organike – dru, drithëra, alga, mbetjet e produkteve bujqësore si psh farat e frutave, ullirit, kallinjtë e grurit etj që mund të përdoren si burim energjie (për ngrohje ose prodhim energjie). Biomasa e merr energjinë nga dielli. E gjithë lënda organike përmban energji të grumbulluar nga dielli. Gjatë një procesi të quajtur fotosintezë, drita e diellit u jep bimëve energjinë e nevojshme për të shndërruar ujin dhe dioksidin e karbonit në oksigjen dhe sheqerna. Këto sheqerna, të quajtura karbohidrate, furnizojnë bimët dhe kafshët bimëngrënëse me energji.