Open Responsive Menu

Cilat janë arsyet për marrjen e një kredie?

 

Kapaciteti juaj huamarrës është aftësia juaj për të paguar një kredi brenda një periudhe të caktuar kohore, në përputhje të kushteve të pranuara paraprakisht. Nëse një bankë ju ofron një kredi, shqyrtoni me kujdes termat.

Nëse keni ndonjë pasiguri në lidhje me aftësinë tuaj për të shlyer kredinë, është shumë e thjeshtë: Mos e merrni atë!.

Së pari, shqyrtoni buxhetin tuaj personal, kohëzgjatjen e kredisë së ofruar si dhe koston e saj aktuale të kthimit. Shihni me imtësi kontratën që ju ofrohet, çdo dokument tjetër të lidhur me ofertën, dhe në veçanti, shikoni me vëmendje nëse ka ndonjë klauzole të "fshehur" në lidhje me tarifat dhe penalitetet që duhen paguar. Disa huadhënës e bëjnë më të vështirë se të tjerët, që të llogaritet kosto aktuale e shlyerjes.

Një tjetër gjë shumë e rëndësishme për t’u marrë në konsideratë rreth aplikimit për një kredi, është: se sa e sigurt është puna juaj. Meqënë se këstet e kredisë do të paguhen nga paga juaj mujore, është e rëndësishme që ju të keni një punë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Nëse ju do të ngelni të papunë, përveç shpenzimeve për kujdesin ndaj vetes dhe familjes tuaj, ju do të ngarkoheni edhe me një borxh.

Kapaciteti huamarrës i një klienti duhet të jetë po aq e rëndësishme për një bankë si dhe për vetë huamarrësit. Një bankë e përgjegjshme do t’ju pyesë se përse doni të merrni një kredi, dhe do të vlerësojë nëse kjo arsye është e justifikuar nga një këndvështrim ekonomik. Banka duhet të shqyrtojë motivet e huamarrësit dhe të nxjerrë në pah të gjitha pasojat e mundshme të nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë.

Në mënyrë ideale, mallrat që keni blerë apo do të blini nëpërmjet një kredie duhet të "paguajnë veten e tyre". Për shembull, me blerjen e një bolieri me konsum të ulët të energjisë elektrike, ju dhe familja juaj mund të kurseni në faturat mujore të energjisë elektrike dhe këto kursime do t’ju ndihmojnë për të shlyer kredinë.

Për shkak se kreditë konsumatore përdoren kryesisht për të blerë mallra afat-shkurtër, në këtë kuptim, ata kurrë nuk mund të “paguajnë veten e tyre”. Kjo është një nga arsyet pse ju duhet të mendoni dy herë përpara se të aplikoni për një kredi konsumatore. Gjithmonë filloni me pyetjen: A duhet vërtetë të përdor një kredi për atë që kam në plan për të blerë?