Open Responsive Menu
23 Nëntor 2018

ProCredit Bank – Takim Informues për Investimet në Impiante Fotovoltaike

ProCredit Bank, Zyrat Qëndrore - Me iniciativë të bankës ProCredit u organizua një takim me biznese të interesuar për realizimin e investimeve në Impiante Fotovoltaike. Në fokus të këtij aktiviteti ishte informimi i bizneseve mbi avantazhet e këtyre investimeve, detaje teknike të impianteve dhe mundësitë që banka ofron për realizimin e tyre. Për të dhënë ekspertizën e tyre teknike në këtë fushë dhe informuar lidhur me këto impiante ishte prezente dhe kompania EuroElektra - kompani e specializuar dhe e certifikuar për realizimin e këtyre investimeve në vendin tonë.

Banka ProCredit, është institucioni i parë financiar që ka kryer vetë një investim të tillë, së pari për të përmbushur angazhimin tonë në mbrojtje të mjedisit, gjithashtu dhe për të testuar vetë efektivitetin e këtij investimi në godinën e saj. Impianti për prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet Paneleve Fotovoltaike në godinën e Zyrave Qendrore pritet të prodhojë rreth 25.500 kWh/vit energji elektrike. Që prej instalimit, në korrik të këtij viti, prodhimi i energjisë ka qënë sipas të gjitha parashikimeve duke përmbushur parametrat  dhe pritshmëritë.

Bizneset e pranishme në takim vlerësuan efektivitetin që Impiantet Fotovoltaike sigurojnë në reduktimin ndjeshëm të faturës së energjisë elektrike. Vlerë të shtuar merr veçanërisht për bizneset prodhuese, të cilët janë dhe konsumatorë të mëdhenj të energjisë elektrike. Gjithashtu, ata patën mundësi të prezantohen konkretisht dhe diskutojnë për teknologjinë  që përdoret dhe efiçencën që sigurojnë.

Nëpërmjet mbështetjes së bankës ProCredit, bizneset që realizojnë këtë investim sigurojnë fatura më të ulta energjie elektrike dhe i japin vetes mundësi që për 6-7 vjet të marrin kthimin nga ky investim. Duke qënë se jetëgjatësia e këtyre paneleve garantohet nga furnitorët për 25 vjet, bizneset do të kenë mundësi të perfitojnë energji elektrike me një kosto minimale (duke paguar vetëm për mirëmbajtjen) për 18 vitet e mbetura.  Ata shndërrohen në prodhues energjie duke siguruar energji elektrike për vetë konsum me kosto shume herë më të lirë se rrjeti publik. Këto investime synojnë t’i japin bizneseve avantazh konkurrues në treg, duke reduktuar kostot operative dhe ndikuar pozitivisht në mjedis.

Banka ProCredit është një bankë tregtare e orientuar drejt zhvillimit, në mbështetje të bizneseve (SME) me 100 % kapital gjerman, e vlerësuar me “BB-” nga agjencia ndërkombëtare Fitch Ratings. Aksionari i vetëm është ProCredit Holding, me qendër në Frankfurt, Gjermani, ajo mbikëqyret nga autoritete të larta gjermane, Bundesbank dhe BaFin, që sigurojnë besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e bankës.