Financim për të rritur konkurrueshmërinë e NVM-ve dhe për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë.
Financim për të rritur konkurrueshmërinë e NVM-ve dhe për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po jep deri në 10 milionë euro për ProCredit Bank Albania (ProCredit) në kuadër të Western Balkans Green Outcomes-Linked Debt Financing Framework (WB GOLD). Ky financim synon të forcojë qasjen në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) dhe ndërmarrjet me madhësi të mesme në Shqipëri.
Të paktën 50% e fondeve do të dedikohen për projekte që përmbushin kriteret e qasjes së BERZH për Green Economy Transition (GET), duke mbështetur bizneset shqiptare në adoptimin e teknologjive me efiçencë energjetike, zgjidhjeve me energji të rinovueshme dhe praktikave të tjera të qëndrueshme mjedisore.
Programi WB GOLD synon të rrisë konkurrueshmërinë e NVM-ve duke zgjeruar qasjen në financa dhe duke nxitur inovacionin në strategjitë e biznesit, produktet dhe proceset. Ai është një instrument inovativ i financimit të gjelbër që prezanton stimuj të bazuar në rezultate për të nxitur sektorin financiar të rrisë kreditimin e gjelbër. Programi mbështet tranzicionin e gjelbër përmes zgjerimit të investimeve në teknologji që përmbushin kriteret e GET në Ballkanin Perëndimor, duke ndihmuar ndërtimin e ekonomive me karbon të ulët dhe rezistente ndaj ndryshimeve klimatike në të gjithë rajonin. Ky është transaksioni i parë WB GOLD në Shqipëri dhe i dyti në të gjithë programin.
Charlotte Ruhe, Drejtoreshë Menaxhuese e BERZH për Evropën Qendrore dhe Juglindore, deklaroi: “Jemi të kënaqur të lançojmë programin WB GOLD në Shqipëri përmes këtij partneriteti me ProCredit. Ky financim do t’u ndihmojë bizneseve shqiptare të investojnë në teknologji më të gjelbra dhe më efikase, duke forcuar konkurrueshmërinë e tyre dhe njëkohësisht duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.”
Mirsad Haliti – CEO i ProCredit Bank Albania, theksoi: “Në ProCredit, e shohim programin WB GOLD si një katalizator për një epokë të re të sipërmarrjes së qëndrueshme në Shqipëri. Duke mundësuar qasjen në financa të gjelbra dhe duke shpërblyer inovacionin, ne nuk po mbështesim vetëm bizneset — po i fuqizojmë ato të udhëheqin tranzicionin drejt një ekonomie konkurruese me karbon të ulët. Ky partneritet riafirmon angazhimin tonë të gjatë ndaj bankingu të përgjegjshëm dhe ndaj ndërtimit të një të ardhmeje më të qëndrueshme për Ballkanin Perëndimor.”
ProCredit, një degë e ProCredit Holding, është një bankë e orientuar drejt NVM-ve në Shqipëri, me ekspertizë të veçantë në mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe promovimin e investimeve në teknologji të gjelbra dhe me efiçencë energjetike. Ajo është një partnere afatgjatë e BERZH dhe ka zbatuar me sukses disa linja kredie të bankës.
Që nga fillimi i aktiviteteve të saj në Shqipëri në vitin 1991, BERZH ka investuar më shumë se 2.3 miliardë euro në 168 projekte, me fokus të fortë në mbështetjen e konkurrueshmërisë së sektorit privat, infrastrukturës së qëndrueshme dhe tranzicionit të gjelbër.