ProCredit Holding: Grupi ProCredit shënon një tjetër arritje të qëndrueshme me hapjen e ProEnergy, parkut të vet diellor që ndodhet në Kosovë

7/5/2023

Frankfurt am Main, 5 korrik 2023 – Grupi ProCredit, i cili është kryesisht aktiv në Evropën Juglindore dhe Lindore, inauguroi sot ProEnergy, parkun e tij diellor PV, në Lipjan afër Prishtinës, në Kosovë. Parku fotovoltaik 3 MWp është iniciuar dhe është zbatuar si një projekt i përbashkët ndërmjet ProCredit Bank në Kosovë, e cila ka siguruar edhe financimin, dhe kompanisë së saj mëmë, ProCredit Holding. Përmes këtij projekti, ProCredit synon të kontribuojë në ndryshimin e peizazhit energjetik të Kosovës, në rritjen e njohurive teknike të kësaj fushe në vend dhe në stimulimin e investimeve të mëtejshme private. Në të njëjtën kohë, ky projekt përfaqëson edhe një moment historik të rëndësishëm për grupin ProCredit të orientuar drejt zhvillimit në arritjen e neutralitetit klimatik, synim për të cilin ka punuar që nga viti 2018.

Impianti fotovoltaik (PV) ProEnergy është parku i parë diellor në Kosovë që është në pronësi të një grupi bankar. Ky projekt, i cili ka kushtuar rreth 2.5 milionë euro, është realizuar nga kompanitë kosovare Jaha Solar dhe Electra. Prodhimi vjetor i pritshëm i parkut diellor 3 MWp është 3,711 MWh dhe mund të furnizojë me energji deri në 450 familje me një konsum mesatar mujor të energjisë elektrike deri në 700 kWh. Në këtë mënyrë, grupi ProCredit po kontribuon në tranzicionin energjetik në Kosovë. 90% e energjisë elektrike të prodhuar në Kosovë në vitin 2022 ka ardhur nga termocentralet me qymyr, së bashku me emetimet e identifikuara të gazeve serrë dhe me rreziqet ndaj shëndetit dhe mjedisit.

Projekti ProEnergy në Kosovë pasqyron orientimin e impaktit të grupit ProCredit, i cili synon të kontribuojë në stabilizimin dhe transformimin mjedisor të vendeve ku operon. Përtej Kosovës, ProEnergy është një hap thelbësor për vetë grupin ProCredit drejt arritjes së objektivave të veta klimatike. Që prej angazhimit për të pasur një aktivitet neutral sa i përket shkarkimit të karbonit në vitin 2018, grupi ProCredit ka arritur të përgjysmojë emetimet e veta. Termocentrali fotovoltaik i inauguruar sot në Kosovë është në proces certifikimi në përputhje me Standardin e Artë dhe energjia e pastër që ai prodhon do të ndihmojë në kompensimin e ndjeshëm të emetimeve të Kategorisë 1 dhe Kategorisë 2 në të gjithë grupin në të ardhmen.

Hubert Spechtenhauser, Kryetar i Bordit Drejtues të ProCredit General Partner AG , i cili mbajti një fjalim në eventin e hapjes, shprehet: “Si një grup bankar i orientuar drejt impaktit, ne në ProCredit jemi të pozicionuar në mënyrë unike për të dhënë kontributin tonë në tranzicionin e energjisë. Investimi ynë në centralin fotovoltaik ProEnergy në Kosovë nënvizon qartë seriozitetin e qasjes sonë. Si grup ProCredit, ne presim me padurim të promovojmë mbrojtjen e klimës, si dhe të këshillojmë dhe të mbështesim klientët tanë në planet e tyre të kalimit drejt mënyrave të reja të prodhimit të energjisë, dhe në këtë mënyrë të kontribuojmë në avancimin e qëllimeve të Marrëveshjes së Parisit për Klimën.”

E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe Eriola Bibolli, anëtare e Bordit Drejtues të ProCredit General Partner AG dhe anëtare e Bordit Mbikëqyrës të ProCredit Bank në Kosovë , e cila shtoi: “Për shkak të shumë viteve pune që unë kam me ProCredit Bank në Kosovë, inaugurimi i sotëm i ProEnergy është një ditë veçanërisht e rëndësishme për mua. Jam krenare që ProCredit po hap parkun e vet diellor, impiantin e parë të tillë në pronësi të një grupi bankar në Kosovë, duke promovuar kështu nevojën për zhvillimin e energjive të rinovueshme. Duke pasur parasysh prevalencën e termocentraleve me qymyr në prodhimin e energjisë në Kosovë, shpresoj që investimi ynë të frymëzojë ndryshime të mëtejshme pozitive në peizazhin energjetik të vendit."

Në fund të marsit 2023, kredia e gjelbër përbën 20.2% të portofolit të kredisë së grupit ProCredit. Kjo përfaqëson një total prej 1.2 miliardë eurosh kredi të destinuara për investime në efiçencën e energjisë, në energjinë e rinovueshme ose në investime të tjera të gjelbra.

Një e treta e këtyre kredive të disbursuara tashmë shkojnë drejt projekteve të energjisë së rinovueshme. Deri më 31 mars 2023, afërsisht 370 milionë euro janë vënë në dispozicion për financimin e 1370 investimeve fotovoltaike. Rreth 1000 prej këtyre investimeve fotovoltaike përfaqësojnë instalime nga sipërmarrje të vogla dhe të mesme ose nga individë, ndërsa pjesa tjetër janë pjesë e iniciativave të financimit të projekteve.

Kreditë e gjelbra mbeten në fokus të grupit tonë. Pesha aktuale e këtyre kredive në totalin e portofolit pritet të zgjerohet në 25% në periudhën afatmesme.

Informacione më të detajuara mbi strategjinë e qëndrueshmërisë dhe mbi Raportin e Ndikimit të grupit ProCredit mund të gjenden në website tonë.

 

Kontakt:

Andrea Kaufmann, Group Communications, ProCredit Holding, Tel.: +49 69 951 437 138,

E-mail: Andrea.Kaufmann@procredit-group.com

 

Rreth ProCredit Holding AG & Co. KGaA

ProCredit Holding AG & Co. KGaA, me seli në Frankfurt am Main, Gjermani, është kompania mëmë e grupit ProCredit të orientuar drejt zhvillimit, i cili përbëhet nga banka komerciale për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME). Përveç fokusit të tij operacional në Evropën Juglindore dhe Lindore, grupi ProCredit është gjithashtu aktiv edhe në Amerikën e Jugut dhe në Gjermani. Aksionet e kompanisë tregtohen në segmentin Prime Standard të Bursës së Frankfurtit. Aksionarët kryesorë të ProCredit Holding AG & Co. KGaA përfshin investitorët strategjikë Zeitinger Invest dhe ProCredit Staff Invest (mjet investimi për stafin e ProCredit), KfW, DOEN Participaties BV holandeze dhe, së fundmi, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Si kompani bijë e grupit në përputhje me Ligjin Gjerman të Bankave dhe si shoqëri mëmë financiare e grupit të Holdingut financiar ProCredit, ProCredit Holding AG & Co. KGaA mbikëqyret në një nivel të konsoliduar nga Autoriteti Federal i Mbikëqyrjes Financiare Gjermane (Bundesanstalt für Finanzdienstleistungsaufsicht, BaFin) dhe Bundesbanku Gjerman. Për më shumë informacione, ju lutemi vizitoni website.