Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim hedh themelet për t’u bërë një ndër aksionarët kryesorë i ProCredit Holding AG & Co. KGaA

3/29/2023

Frankfurt am Main, 20 mars 2023 – Në 17 mars, nënshkrimi i dy marrëveshjeve për blerje të aksioneve ndërmjet Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare (KFN), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, kanë shtruar rrugën për një ndryshim në përbërjen e bazës së aksionarëve kryesorë të ProCredit Holding AG & Co. KGaA (ProCredit Holding).

Sipas marrëveshjeve për blerje, BERZH-i do të blejë nga KFN-ja 9.9% të aksioneve në ProCredit General Partner AG, i vetmi partner i përgjithshëm i ProCredit Holding dhe stokun e mbetur të KFN-së prej 5.06%  në ProCredit Holding.

Pas përfundimit të transaksionit, BERZH-i do ta zëvendësojë KFN-në si aksioner kryesor të ProCredit Holding dhe do të mbajë 8.7% të kapitalit kryesor. Përfundimi i blerjes së aksioneve varet nga përmbushja e kushteve që paraprijnë, përfshirë pranimin e miratimeve rregullative aty ku janë të zbatueshme.

Duke u bërë aksioner kryesor, BERZH-i synon që ta mbështesë ProCredit Holding gjatë transformimit në shoqëri aksionare sipas Ligjit gjerman (Aktiengesellschaft) ndërkohë që e ruan orientimin e saj në aspektin e ndikimit. Gjithashtu, BERZH-i planifikon ta mbështesë ProCredit Holding në strategjinë dhe qeverisjen e vet që të bashkëpunojë me ProCredit Holding për të zhvilluar më tej aktivitetet që i kundërvihen ndryshimeve klimatike dhe vendosin punën dhe rrjedhën financiare të vet në përputhje me qëllimet e Marrëveshjes së Parisit.

Hyrja e BERZH-it në rrethin e aksionerëve kryesorë e fuqizon më tej qasjen e grupit ProCredit ndaj punës, sidomos përkushtimin e grupit për të qenë i orientuar nga ndikimi dhe për të ofruar shërbime bankare të përgjegjshme me fokus tek Evropa Juglindore dhe Evropa Lindore.

Hubert Spechtenhauser, Kryesuesi i Bordit Menaxhues të Partnerit Gjeneral të ProCredit AG, komentoi: “Jemi shumë të kënaqur që së shpejti do ta mirëpresim BERZH-in, që na ka shoqëruar për shumë vite si partner financues dhe që nga viti 2018 edhe si aksioner, dhe po i bashkohet rrethit tonë të aksionerëve kryesorë dhe investitorëve strategjikë.

Ne na bashkon pasioni për Evropën Juglindore dhe Lindore dhe për NMV-të që kontribuojnë në zhvillimin e ekonomive në rajon, si dhe nga bindja që zhvillimi ekonomik duhet të jetë miqësor ndaj mjedisit dhe i qëndrueshëm. Vendimi i BERZH-it si aksioner kryesor për të mbështetur më tej zhvillimin tonë institucional ndërkohë që ne e ruajmë orientimin tonë drejt ndikimit dërgon mesazh të fuqishëm pozitiv për të gjithë grupin ProCredit.

Sot kemi edhe mundësinë që ta falenderojmë KFN-në që ka mbështetur zhvillimit e grupit si një nga aksionerët kryesorë që nga ditët tona të para dhe presim ta vazhdojmë bashkëpunimin”.

Francis Malige, Drejtor Menaxhues i Grupit të Institucioneve Financiare të BERZH-it tha: “ProCredit është një nga partnerët tanë më të vlefshëm për përkrahjen e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në 10 vendet ku ne operojmë në Evropën Qendrore dhe Juglindore. Së bashku, kemi ofruar më shumë se 1 miliardë Euro si financim për bizneset lokale, krijuesit kryesorë të vendeve të punës në shumicën e ekonomive, për të ndihmuar në përmirësimin e aksesit të tyre në financa. Me këtë transaksion, ne shenjojmë një hap tjetër me rëndësi në historinë e ProCredit-it, një bankë kjo që NMV-të i ka pjesë të kodit të vet gjenetik. Presim që të bëjmë edhe më shumë gjëra bashkë për një sektor më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm të NMV-ve në rajonet tona”.

“Rritja e suksesshme e ProCredit-it dhe ndikimi që ka patur tek klientët në dy dekadat e fundit është dëshmi e strategjisë së fokusuar dhe këmbënguljes së ekipit menaxhues”, tha Tomasz Telma, Drejtor Global pranë Grupit të Institucioneve Financiare të KFN-së. “Që nga themelimi i njërës prej bankave të para në vitin 1998, ProCredit Holding është shndërruar në një grup bankar të rregulluar me fokus tek NMV-të të lisatuar në Bursën e Frankfurtit, duke i zgjeruar operacionet e veta me NMV-të në 12 vende. Presim ta shohim ProCredit-in të vijojë të ofrojë shërbimet e veta me ndikim për NMV-të në të gjithë rajonin”.

Aksionerët e tjerë kryesorë të grupit janë Zeitinger Invest, DOEN Participaties, Kreditanstalt für Wiederaufbau (KfW) dhe ProCredit Staff Invest.

Rreth ProCredit Holding AG & Co. KGaA

ProCredit Holding AG & Co. KGaA, me qendër në Frankfurt am Main, Gjermani, është kompania mëmë e grupit ProCredit që është i orientuar nga zhvillimi dhe përbëhet nga bankat komerciale për ndërmarrje të vogla dhe të mesme (NMV). Përveç fokusit operacional në Evropën Juglindore dhe Lindore, grupi ProCredit është aktiv edhe në Amerikën e Jugut dhe në Gjermani. Aksionet e kompanisë tregtohen në segmentin Prime Standard të Bursës së Frankfurtit. Aksionerët kryesorë të ProCredit Holding AG & Co. KGaA përfshijnë investitorë strategjikë si Zeitinger Invest dhe ProCredit Staff Invest (mjeti investues për stafin e ProCredit), Dutch DOEN Participaties BV, KfW dhe KFN (anëtar i Grupit të Bankës Botërore). Si kompania kryesore e grupit në përputhje me Ligjin për Banka të Gjermanisë, ProCredit Holding AG & Co. KGaA mbikëqyret në nivel të konsoliduar nga Autoriteti Federal i Mbikëqyrjes Financiare të Gjermanisë (Bundesanstalt für Finanzdienstleistungsaufsicht, BaFin) dhe Bundesbank i Gjermanisë.

Për më shumë informacion, vizitoni: www.procredit-holding.com