Intervistë e Z. Mirsad Haliti në specialen e Revistës Monitor | Objektivat e ProCredit Bank për vitin 2023

5/2/2023

Në specialen e Revistës Monitor, Z. Mirsad Haliti, Anëtar i Drejtorisë Ekzekutive të ProCredit Bank Shqipëri, shprehu se kemi përmbushur objektivat për të qënë banka partnere e rreth 100 bizneseve, që kanë investuar në sisteme të paneleve fotovoltaike për vetëkonsum gjatë 2022, si një alternativë efiçiente për diversifikim dhe optimizim të kostove të energjisë elektrike. Lidhur me objektivat e bankës për vitin 2023, z.Haliti theksoi se ProCredit Bank do të jetë mbështetje e vazhdueshme e ekonomisë së vendit dhe investimeve të gielbra, si dhe bashkëpunimi me partnerë strategjikë, si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke kontribuar në një zhvillim të qëndrueshëm të klientëve tanë. Një tjetër objektiv me rëndësi, në fokus edhe në vitin 2023, do jetë përforcimi i identitetit tonë si një bankë gjermane, e sigurt për klientët tanë dhe kursimet e tyre.

Si do ta vlerësonit ecurinë e ProCredit Bank Shqipëri gjatë vitit të kaluar? Cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme në bankën tuaj dhe më gjerë në aktivitetin e sistemit bankar shqiptar?

 

Viti 2022 ishte një vit plot sfida për sistemin bankar shqiptar, duke përmendur këtu inflacionin, krizën energjitike dhe luftën në Ukrainë, të cilat prekën ndjeshëm stabilitetin ekonomik në botë por edhe në vendin tonë. Pavarësisht këtyre vështirësive, Banka jonë performoi mjaft mirë, duke treguar një rritje të kënaqshme në të gjitha drejtimet.

 

Në terma të portofolit të kredive dhe depozitave të bankës, ProCredit Bank Shqipëri shënoi rritje edhe këtë vit, duke shfaqur kështu stabilitet si dhe aftësi për t’i bërë ballë sfidave të lartëpërmendura dhe për t’u ofruar klientëve shërbime financiare të besueshme. Në veçanti, vlen për t’u përmendur suksesi i Bankës në zhvillimin e Portofolit të Gjelbër. Themi me krenari se këtë vit kemi plotësuar objektivat për të qënë banka partnere e rreth 100 bizneseve që kanë investuar në sisteme të paneleve fotovoltaike për vetëkonsum, si një alternativë efiçente për diversifikim dhe për optimizim të kostove të energjisë elektrike. Krahas kësaj, kemi avancuar edhe në zgjerimin e gamës së shërbimeve digjitale që ofrojmë përmes platformave tona si dhe kemi kushtuar rëndësi të veçantë rifreskimit të imazhit të Zonave 24/7 të pozicionuara në qytete të ndryshme të vendit. Këto zhvillime tregojnë përkushtimin e ProCredit Bank ndaj përqafimit të inovacionit dhe dixhitalizimit për të plotësuar nevojat e klientëve të saj me eficencë, pa humbje kohe dhe pa radhë.

 

Përtej performancës së Bankës sonë, sistemi bankar shqiptar në tërësi ka treguar qëndrueshmëri, likuiditet dhe mirë - kapitalizim në këto kushte të vështira ekonomike, duke përmendur këtu edhe politikat që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë për të mbështetur sektorin bankar gjatë vitit të kaluar.

Pra, si përfundim mund të themi që performanca e ProCredit Bank Shqipëri gjatë vitit të kaluar, ishte e qëndrueshme dhe vazhdon të rritet sistematikisht. Do vijojmë të jemi të fokusuar në plotësimin e objektivave tona të biznesit për të qënë një partner strategjik për SME-të në rrugën e tyre drejt zhvillimit dhe inovacionit, si dhe banka digjitale dhe e sigurt për klientët individë dhe depozituesit.

 

Vitin e kaluar, ekonomia u përball me inflacionin më të lartë në dy dekada dhe me një rritje të shpejtë të normave të interesit. Si u reflektuan këto zhvillime në ecurinë e sektorit bankar?

 

Padiskutim që rritja e inflacionit dhe rritja e shpejtë e normave të interesit gjatë vitit të kaluar, patën një ndikim të rëndësishëm në sektorin bankar.

 

Së pari, rritja e normave të interesit ka sjellë një rritje të kostos së financimit për bankat. Si rrjedhojë, kjo kosto është reflektuar pjesërisht tek klientët e bankave, gjë që ka rezultuar në rritjen e kostos së financimit për klientët. Kjo e fundit ka ndikuar tek të gjithë klientët, duke përfshirë klientët individë, bizneset e vogla dhe ato të mëdha, të cilëve u është dashur të përshtasin buxhetet e tyre në përputhje me kushtet makroekonomike.

 

Së dyti, rritja e normave të interesit ka sjellë një ulje të intensitetit të kreditimit nga bankat, dhe kjo ndikon në mënyrë direkte rritjen ekonomike të vendit. Për më tepër, bizneset janë përballur me kosto më të larta huamarrjeje, dhe një pjesë e tyre u është dashur që të shtyjnë investimet dhe të fokusohen në optimizimin e kostove.

 

Megjithatë, vlerësoj që sektori bankar në sajë të pozicionit të mirë në aspektin e depozitave dhe likuiditetit ka arritur që të menaxhojë mjaft mirë këto sfida dhe impakti i tyre ka qenë i kufizuar.

 

Cilat do të jenë objektivat tuaja kryesore për vitin 2023 dhe cilat prisni të jenë sfidat kryesore për biznesin e bankave këtë vit?

 

Gjatë vitit 2023, presim që inflacioni i lartë të jetë ende prezent, duke mos lënë pa përmendur edhe efektet e luftës në Ukrainë në ekonominë e vendit tonë.

Krahas këtyre, mendojmë se disa nga sfidat kryesore të këtij viti do të jenë diversifikimi i bazës së depozitave për të mbajtur nën kontroll kostot e fondeve dhe një aktivitet kreditues sa më të shëndetshëm.

 

Lidhur me objektivat, fokusi ynë do jetë suporti i vazhdueshëm i ekonomisë së vendit, mbështetja e investimeve të gjelbra si dhe bashëpunimi me partnerë stragjikë, si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke kontribuar në një zhvillim të qëndrueshëm të klientëve tanë.

 

Një tjetër objektiv me rëndësi që do të vijojë të jetë në fokus edhe gjatë 2023 do jetë përforcimi i identitetit tonë si një bankë Gjermane, e sigurt për klientët tanë dhe kursimet e tyre. Ambiciet tona për rritjen e prezencës në treg dhe promovimin e mënyrës sonë digjitale të bankingut, do vijojnë të mbështeten nga fushatat tona të komunikimit që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin në treg për avantazhet e padiskutueshme që ofrojnë shërbimet digjitale.