Intervistë në Revistën Monitor rreth Kredive për Shtëpi

6/16/2021

KREDIA PËR SHTËPI - APROVIM BRENDA JAVËS

Intervistë me Fatjona Selimaj, Drejtoreshë e Departamentit të Biznesit për Klientë Individë.

Kredia për shtëpi është një shërbim bankar, që ofrohet nga të gjithë bankat e nivelit të dytë të cilat operojnë në Shqipëri. Po ju si ProCredit, çfarë ofroni ndryshe?

Banka është një zgjedhje e rëndësishme për çdo individ. Për të gjithë ne, veprimet bankare janë rutinë dhe pjesë e përditshmërisë sonë, ndaj disa faktorë duhet të merren parasysh para zgjedhjes së një institucioni bankar, sidomos kur bëhet fjalë për një shërbim kaq afatgjatë, sa është kredia për shtëpi. Faktori më i rëndësishëm për çdo individ në momentin që zgjedh një bankë për të aplikuar për një kredi për shtëpi duhet të jetë transparenca. Transparencë ndaj klientit do të thotë se shërbimet që banka ofron të jenë të thjeshta dhe të kuptueshme për të. Nga ana tjetër, çdo individ duhet të jetë i informuar jo vetëm për shërbimin që merr, por në të njëjtën kohë, edhe për kushtet dhe kostot që e shoqërojnë, jo vetëm në fillim, por gjatë gjithë afatit, apo jetëgjatësisë së këtij shërbimi. Publikimi i kostove për çdo shërbim në faqet zyrtare të çdo banke është detyrim ligjor, por
transparenca për bankën tonë shkon përtej kësaj. Për ne, analizimi dhe kuptimi i situatës financiare të klientit është pjesë e përgjegjshmërisë me të cilën punojmë çdo ditë për t’u shërbyer klientëve tanë. Gjithashtu informimi me detaje
para se klienti të aplikojë është prioritet i Këshilluesve tanë. Ne kujdesemi që këshillimi të jetë i përgjegjshëm, duke i shpalosur çdo informacion të mundshëm klientit dhe duke i shpjeguar çdo rresht të kontratës, pasi strategjia jonë nuk është mbajtja e klientit të lidhur me bankën me çfarëdo
lloj kushti, por të jemi partnerë afatgjatë me ta.
 

Po për sa i përket normës së interesit që ofron banka juaj, çfarë mund të na thoni?

Sa shpjegova dhe më sipër, për ne ka rëndësi ofrimi i shërbimeve të përgjegjshme financiare, të cilat nga një anë plotësojnë nevojën e klientëve për të realizuar
investimet e tyre dhe nga ana tjetër, të mos mbingarkojnë klientin me kosto të paarsyeshme. Në linjë me këtë shkon dhe ofrimi i normës së interesit për këtë shërbim. Norma e interesit që ne ofrojmë është ndër më konkurrueset në
treg, ku në euro fillon nga 3,2% dhe afat maksimal deri në 20 vjet. Ajo që na diferencon në këtë pikë është edhe koha e shpejtë e miratimit. Që nga momenti kur klienti aplikon në bankë dhe dorëzon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, banka jonë siguron që klienti të marrë një përgjigje brenda javës në lidhje me aprovimin e kredisë.
Kjo kohë e shpejtë e miratimit siguron që klienti të mbyllë me shpejtësi negociatat për blerjen e shtëpisë së përzgjedhur dhe të shmangë burokracitë e panevojshme.
Ndryshe nga bankat e tjera, përveç normës së favorshme që ofrojmë dhe kohës së shpejtë të miratimit, dëshiroj të ndalem pak edhe tek shpjegimi i afatit të kësaj kredie. Pse ne e sugjerojmë deri në 20 vjet? Ne sugjerojmë si afat optimal të këtij shërbimi jetëgjatësinë 15-20 vjet, që përkon edhe me vitet e kthyershmërisë nga ky investim nëse supozojmë se kjo pronë do të jepej me qira. Gjithashtu një faktor që merret tjetër në konsideratë është edhe mosha aktive e punësimit. Një kredi që merret për 30 vjet, do t’ju shoqëronte deri në prag të pensionit në rastin më të mirë, duke përbërë një shpenzim të përmuajshëm për vite e vite me radhë, duke mos lënë shumë hapësira për investime të tjera që individi mund të dëshirojë.
 

Ju si ProCredit, që keni një përqasje të theksuar dixhitale, si e keni të organizuar pjesën e procesit të aplikimit për kredi për shtëpi?

Mendoj se ky është një aspekt tjetër që duhet të konsiderojmë në momentin që zgjedhim një bankë. Në ProCredit, klienti nuk e ka të nevojshme të paraqitet në
bankë për të aplikuar, pasi ne ofrojmë aplikimin online nëpërmjet website dhe këshillim të shpejtë nëpërmjet telefonit. Qendra jonë e kontaktit përbëhet nga staf i
kualifikuar, për të dhënë informacion të detajuar për çdo pyetje në lidhje me shërbimet tona. Dixhitalizimi na ka lejuar që të jemi të aftë t’u përgjigjemi klientëve në kohë reale. Ne jemi bankë direkte, që do të thotë jemi dixhitalë, por pa e humbur kontaktin njerëzor. Ndaj dhe në momentin ku klientët e kanë të nevojshme të takohen drejtpërdrejt me një Këshillues Klienti, banka disponon një ekip me Këshillues të specializuar të cilët mund të kryejnë takime dhe flasin me detaje në lidhje me çdo pyetje apo paqartësi që klientët mund të kenë.