ProCredit Bank nënshkruan marrëveshjen me BERZH për mbështetjen e SME-ve të agrobiznesit dhe turizmit

4/11/2022

•    BERZH dakordëson me ProCredit Bank lehtësirat për ndarjen e rrezikut deri në 20 milionë Euro.
•    BE-ja dhe qeveria sigurojnë një grant financimi prej 10% në kuadër të Programit të Ndihmës për Mbështetjen ndaj Agrobiznesit dhe Turizmit në Shqipëri
•    Projekti u nënshkrua gjatë vizitës së Presidentes së BERZH në Shqipëri

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ProCredit Bank në Shqipëri,  Bashkimi Evropian  (BE) dhe qeveria e Shqipërisë po rrisin mbështetjen e tyre ndaj kompanive të sektorëve të agrobiznesit dhe turizmit të vendit në kuadër të Programit të Ndihmës për Mbështetjen ndaj Agrobiznesit dhe Turizmit në Shqipëri (AATSF).
BERZH ka ndërmarrë një angazhim ndaj instrumentit të ndarjes së riskut deri në 20 milionë Euro me ProCredit Bank në Shqipëri, i cili pritet të gjenerojë kredi për kompanitë përfituese në sektorët agrobiznesit dhe turizmit. 
Paketa e re e mbështetjes për sektorët e agrobiznesit dhe turizmit në Shqipëri u nënshkrua gjatë vizitës së parë të Presidentes së BERZH Odile Renaud-Basso në Shqipëri. Nënshkrimi u bë në prani të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
AATSF-ja është një kuadër që ka për qëllim përmirësimin e aksesit në financim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME-ve) në partneritet më një sërë bankash tregtare në Shqipëri. Ky kuadër përfshin një grant investimi prej 10% për bizneset në sektorët e agrobiznesit dhe turizmit, financuar nga qeveria e Shqipërisë dhe BE-ja. Huamarrësit do ta marrin grantin pasi investimet e tyre të kenë përfunduar dhe të jenë verifikuar. Instrumenti do të përfitojë edhe nga mekanizmi i mbulimit të rrezikut të humbjes së parë, i mbështetur nga qeveria.
Banka ProCredit në Shqipëri nënshkroi kontratën e saj të parë me BERZH me vlerë 30 milionë Euro në kuadër të Programit të Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar (AASF), siç edhe u njoh atëherë në korrikut të vitit 2016. Programi lider në financimin e sektorit të agrobiznesit, me mbështetjen e BERZH-it, tani do të jetë në gjendje të japë 20 milionë Euro shtesë në kuadër të instrumentit të kombinuar të financimit, duke arritur totalin prej 50 milionë Euro.

Frida Krifca, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë ceremonisë së nënshkrimit deklaroi: “Bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Ne besojmë se kompanitë e prodhimit dhe përpunimit kanë tani hapësirën dhe potencialin e duhur për t'u zhvilluar me aksesin e duhur në kredi dhe financim, për të rritur kapacitetet e tyre prodhuese dhe punësimin, si dhe për t'i shtuar vlerë ekonomisë.
Mirela Kumbaro, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, tha: “Investitorët e vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj kanë rikrijuar mënyrat e tyre të të bërit biznes duke u fokusuar më shumë tek industria agroturistike dhe zgjerimi gjeografik, jo vetëm pranë bregdetit dhe maleve, por edhe në zonat në zhvillim të lumenjve, pyjeve dhe turizmit kulinar. Për këtë arsye, ky nënshkrim është një moment historik, pasi ProCredit Bank i bashkohet dy bankave të tjera në program. Turizmi është, pa dyshim, e ardhmja e Shqipërisë.”
Ekaterina Solovova, Drejtoresha e BERZH-it për Shqipërinë, tha: “Programi AATSF, me mbështetjen e qeverisë së Shqipërisë dhe të BE-së ka adresuar hendekun financiar që ka pasur sektori që prej 2016. Paketa e re e BERZH-it për ndarjen e riskut mbështet edhe tranzicionin e ekonomisë së gjelbër, duke e ndihmuar Bankën ProCredit në Shqipëri të financojë teknologjitë me performancë dhe efikasitet energjie më të lartë në këta sektorë.”
Mirsad Haliti dhe Diamant Ibrahimi, Anëtarë të Bordit Drejtues të Bankës ProCredit Bank në Shqipëri, shtuan: “Kemi kënaqësinë të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë me BERZH në ndjekjen e objektivave të bankës tonë të orientuar drejt zhvillimit. U jemi mirënjohës qeverisë së Shqipërisë dhe BE-së për mbështetjen e projektit.”


Deri në 180 milionë euro janë ndarë deri më sot në kuadër të AATSF-së për linja të specializuara krediti dhe lehtësira për ndarjen e rrezikut përmes bankave partnere lokale. Që nga fillimi i tij në vitin 2016, janë dhënë më shumë se 70 milionë euro kredi, duke përfituar më shumë se 6100 SME- lokale të agrobiznesit. Së fundmi, ky instrument është zgjedhura drejt përfshirjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme turistike. AATSF-ja plotëson instrumentin e BE-së për Asistencën e Para-Anëtarësimit për Zhvillimin Rural (IPARD).
Përveç instrumenteve të financimit, BERZH po ofron asistencë teknike, si për institucionet financiare, edhe për nënhuamarrësit për programit të tij Këshilla për bizneset e vogla në Shqipëri.
BERZH është një investitor institucional në Shqipëri, i fokusuar te zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit privat, duke u mbështetur në frymën sipërmarrëse në ekonomi, duke rritur komercializimin e projekteve të infrastrukturës dhe duke promovuar energjinë e qëndrueshme dhe investimet e shëndosha mjedisore. Deri më sot, Banka ka investuar 1.8 miliardë Euro në 125 projekte në vend.